Tuesday, May 12, 2020

Shqiptaret ne Maqedoni

Shqipëria është e ndarë politikisht, sepse ne nuk jemi të bashkuar intelektualisht. Ajo është e copëtuar, sepse ne nuk jemi apo nuk kemi qenë të organizuar. Secila pjesë, që sot ka mbetur jashtë Shqipërisë aktuale, ka mbetur si pasojë e dobësisë tonë në raport me fqinjët dhe e këmbënguljes së tyre për përhapjen e hegjemonisë së tyre nëpër trojet tona, duke qenë shumë më të organizuar ushtarakisht dhe më të sofistikuar sa i përket diplomacisë. Përhapja e hegjemonisë së tyre vazhdon edhe sot, e sidomos mbi shqiptarët e Maqedonisë. Pra, kur flasim për këtë trevë, nuk duhet të harrohet assesi ky fakt.

Shqiptarët popullojnë pjesën perëndimore të Maqedonisë. Kjo pjesë, është bërë një fushë-betejë e luftërave ideologjike, në të cilën shqiptarët janë nën shënjestër nga ndikimet e dy palëve që kërkojnë terren: ndikimi sllav dhe turk. Sa i përket ndikimit sllav, ata kanë arritur të asimilojnë në shumicë absolute shqiptarët e besimit të krishterë, ndërsa qëllimin e tyre me shqiptarët muslimanë do ta nënvizojmë në vijim. Ndërsa ndikimi turk, duke e pasur në dorë një kartë të fuqishme, pra fenë, ka arritur që përmes saj të shtrijë ndikimit e vet dhe të instrumentalizojë një pjesë të popullsisë.

Pra, përshkrimi që mund t’i bëhet shqiptarit të Maqedonisë, sipas nesh, është ky: gjendet në fushë-betejë, është i vetmuar dhe askush se ndihmon dot, ndërsa përballë ka dy përbindësha me të cilët, në rast se dëshiron të jetoj, e ka patjetër të luftoj.

Sllavët, luftën kundër shqiptarëve e zhvillojnë në bazë fetare, por qëllimin e kanë shkatërrimin kombëtar. Sllavo-maqedonasve nuk i’u pengon aspak përkatësia jonë fetare, ata kanë problem me përkatësinë tonë kombëtare. Termi “radikalizëm islam”, nga sllavo-maqedonët përdoret ekskluzivisht për të njollosur shqiptarët dhe kurrë pakicat tjera. Rrjedhimisht, lufta kundër “radikalizmit islam”, në fakt, është luftë kundër shqiptarëve. Dhe kjo, jo pse shqiptarët e Maqedonisë janë radikalisht fetarë, por se pushteti dëshiron të na paraqes të këtillë. Ata, jo vetëm që duan të na paraqesin të këtillë, por edhe punojnë që ne të jemi të këtillë. Edhe pse ky term, në dukje mund të tingëllojë si sulm ndaj fesë, qëllimi i saj është anti-shqiptar dhe ky term përdoret për të përbaltur vetëm shqiptarët. Në Maqedoni jetojnë edhe pakica tjera etnike të përkatësisë muslimane, si boshnjakët apo turqit, por ata nuk përfshihen kurrë në një term të këtillë. Pse çdo vit sulmohet shtëpia e alfabetit shqiptar në Manastir? Ose, edhe kur sulmohet ndonjë xhami (që natyrisht se nga secili do të cilësohej sulm ndaj fesë), pse gjithmonë sulmohen xhamitë që frekuentohen vetëm nga shqiptarët?!

Pra, kur akuzojmë shqiptarët e Maqedonisë si “radikalist fetar”, duhet pasur parasysh këto dy gjëra:
- se, edhe në qoftë i tillë, ai është viktimë e presionit të padurueshëm nga jashtë, dhe i neglizhencës së shtetit shqiptar,
- se, edhe kur ai nuk është i tillë, sllavët dëshirojnë të na paraqesin të tillë. Rrjedhimisht, duke i quajtur kështu, ne vetëm e konfirmojmë se propaganda e tyre kundër nesh, po funkcionon shumë mirë dhe po pranohet edhe nga ne.

Prandaj, të mos e godasim veten me dorën tonë, por ti përdorim duart tona në luftë me kundërshtarët tanë. Ne duhet të organizohemi e të bashkëpunojmë, në mënyrë që ta luftojmë propagandën e huaj, e jo të biem vetë pre e saj!
#AdminVAGRANT

No comments:

Post a Comment